Autoritetet turke kanë goditur sërish opozitën. Të premten, policia turke ka arrestuar kryetarin e komunës së Beyoglut në Stamboll, Inan Guney, së bashku me 40 zyrtarë të tjerë, si pjesë e një hetimi për korrupsion.
Lajmi është bërë i ditur nga media turke Birgun, e cila shkruan se në pranga kanë përfunduar edhe truproja, këshilltari dhe ndihmësi i Guneyt. Ai është dërguar menjëherë në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.
Guney vjen nga Partia Popullore Republikane (CHP), partia më e madhe opozitare në Turqi, e cila këtë vit është përballur me një valë të paprecedentë arrestimesh, sidomos në komunat që kontrollon.
Kujtojmë se në mars është arrestuar edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu – kandidati presidencial i CHP-së për zgjedhjet e ardhshme. Arrestimi i tij kishte nxitur protestat më të mëdha në vend që nga viti 2013.
Sipas një analize të Reuters, më shumë se 500 persona janë ndaluar që nga tetori i kaluar, në kuadër të kësaj fushate të gjerë hetimore.
