Mes një lufte që vazhdon prej pothuajse tre vjet e gjysmë dhe forca të armatosura gjithnjë e më të ngarkuar, Ukraina ka vendosur të lejojë rekrutimin vullnetar edhe të qytetarëve mbi moshën 60 vjeç.
Presidenti Volodymyr Zelensky nënshkroi sot një akt që hap rrugën për angazhimin e kësaj kategorie, por vetëm gjatë kohës që është në fuqi ligji i gjendjes së jashtëzakonshme.
Sipas raportimit të gazetës Kyiv Independent, personat mbi 60 vjeç që do të vendosin të regjistrohen si vullnetarë do të punojnë në role jo-luftarakë dhe pozicione të specializuara.
Kontrata do të jetë për një vit dhe do të mund të nënshkruhet vetëm pas miratimit të një komisioni mjekësor dhe autorizimit nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Çdo rekrut do të kalojë gjithashtu një periudhë prove dy mujore.
Ukraina u përball me mungesë të rëndë personeli ushtarak në fund të vitit 2024, pas një ofensive të ashpër ruse në rajonin e Donetskut, kujton gazeta. Situata emergjente ka zgjatur prej kohësh, deri në atë pikë sa në prill të vitit të kaluar, Moska uli moshën e rekrutimit nga 27 në 25 vjeç. Në shkurt të këtij viti u prezantuan edhe kontrata vullnetare njëvjeçare për moshat 18-24 vjeç, me përfitime financiare shtesë.
Ligji i ri pritet të ndihmojë në mbushjen e boshllëqeve në njësitë teknike, logjistike dhe të mbështetjes, ku ekspertiza e profesionistëve me përvojë është shumë e kërkuar.