Ukraina ka sulmuar një stacion të rëndësishëm pompimi në rajonin Bryansk të Rusisë, duke ndërprerë furnizimet me naftë për Hungarinë dhe Sllovakinë, dy vendet e vetme të BE-së që ende marrin naftë nga Rusia.
Komandanti i Forcave të Sistemeve pa Pilot të Ukrainës, Robert Brovdi, konfirmoi sulmin ndaj stacionit Unecha, pjesë e naftësjellësit “Druzhba”. Zyrtarët rusë thanë se u përdorën raketa Himars dhe dronë në një sulm të kombinuar.
Qeveritë e Hungarisë dhe Sllovakisë i dërguan një letër Komisionit Europian, duke paralajmëruar se furnizimet mund të mbeten të pezulluara për të paktën pesë ditë. Ministrat e Jashtëm Péter Szijjártó dhe Juraj Blanár theksuan se “pa këtë tubacion, furnizimi i sigurt i vendeve tona është i pamundur”.
Budapesti reagoi me ashpërsi, duke e quajtur këtë sulm të tretin në një periudhë të shkurtër.
“Ky është një tjetër sulm ndaj sigurisë energjetike të vendit tonë, një përpjekje për të na futur në luftë”, tha ministri i Jashtëm Szijjártó. Kryeministri Viktor Orbán shtoi në një postim: “Hungaria ndihmon Ukrainën me energji elektrike dhe karburant, ndërsa ata bombardojnë tubacionin që na furnizon.”