Katari njoftoi se ka marrë “përgjigje pozitive” si nga SHBA-ja, ashtu edhe nga Irani, lidhur me përpjekjet e vazhdueshme ndërmjetësuese mes dy palëve, duke theksuar se po punohet për t’i dhënë fund gjendjes “as luftë, as paqe” dhe pasigurisë në rajon.
“Përpjekjet ndërmjetësuese mes Uashingtonit dhe Teheranit janë ende në vazhdim dhe ka pasur përgjigje pozitive nga të dyja palët”, deklaroi të martën Ibrahim Al-Hashimi, drejtor i Departamentit të Medias dhe Komunikimit në Ministrinë e Jashtme të Katarit, gjatë një konference për shtyp në Doha, shkruajnë mediat e huaja.
Ai theksoi se ndërmjetësuesit po punojnë për t’i dhënë fund gjendjes “as luftë, as paqe” në rajon dhe për të eliminuar pasigurinë.
Këto komente erdhën një ditë pasi kryeministri i Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, bëri të ditur se kishte zhvilluar “diskutime pozitive” në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance, lidhur me arritjen e një marrëveshjeje dhe vendosjen e paqes në rajon.
“Më vjen mirë që u takova me Presidentin dhe Zëvendëspresidentin e SHBA-së në Uashington, ku diskutuam për situatën në rajon dhe mënyrat për të bërë përparim në negociatat SHBA-Iran”, shkroi të hënën Sheik Mohammed në platformën X.
“I vlerësoj diskutimet pozitive mbi arritjen e një marrëveshjeje dhe sjelljen e paqes në rajon”, shtoi ai.
