SHBA po rrit ndjeshëm praninë ushtarake në Karaibe, ndërsa Presidenti Donald Trump la të kuptohej se ka marrë një vendim për një veprim të mundshëm në Venezuelë.
Gjatë një deklarate të premten, Trump tha se “në një farë mënyre e kam vendosur”, duke mos përjashtuar opsionin e ndërhyrjes për të goditur rrjedhat e drogës dhe emigracionit të paligjshëm, apo edhe për të ndryshuar regjimin e Presidentit Nicolás Maduro.
Sipas Pentagonit, pjesë e operacionit “Shtiza Jugore” janë grumbulluar mbi 15,000 trupa amerikane, më shumë se një duzinë anije luftarake, një anije komande, nëndetëse sulmuese, si dhe 10 avionë F-35 të vendosur në Porto Riko. Zyrtarët thonë se objektivat kryesore lidhen me ndërprerjen e trafikut të drogës dhe kontrollin e pikave strategjike në rajon.
Trump është informuar nga një grup i ngushtë zyrtarësh të sigurisë kombëtare, mes tyre Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Dan Caine. Grupi i sigurisë ka paraqitur disa opsione, që variojnë nga sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake venezuelase, te goditja e rrugëve të trafikimit të drogës, e deri tek një përpjekje e mundshme për rrëzimin e Presidentit Maduro.
