Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin se do ta humbte “tërë mbështetjen” e vendit të tij, nëse mundohet që ta çojë përpara aneksimin e Bregut Perëndimor.
Komentet e publikuara të enjten nga revista “Time” u bënë nga Trumpi në një intervistë të realizuar më 15 tetor, para se Kuvendi i Izraelit të miratonte të mërkurën në lexim preliminal një projektligj me të cilin do të zbatohej sovraniteti izraelit mbi të gjitha vendbanimet e Bregut Perëndimor, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Duke e nënvizuar mungesën e durimit të administratës amerikane ndaj përpjekjeve të tilla, nënpresidenti amerikan, JD Vance, përderisa po largohej nga Izraeli, tha të enjten se votimi i këtij projektligji një ditë më parë ishte “shumë budalla” dhe fyerje ndaj tij.
“Nuk do të ndodhë, nuk do të ndodhë” – i tha presidenti amerikan revistës “Time”, duke iu referuar aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli. “Nuk do të ndodhë, sepse unë ua kam dhënë fjalën vendeve arabe dhe s’mund ta bëni këtë tani. Kemi pasur përkrahje të madhe arabe. [Aneksimi] nuk do të ndodhë, sepse unë ua dhashë fjalën vendeve arabe. Nuk do të ndodhë. Izraeli do ta humbte tërë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara, nëse ndodh” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
