Bursat europiane e çelë javën në rënie, duke vijuar trendin negativ të nisur që prej njoftimit të Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj Grenlandës.
Presidenti amerikan deklaroi se nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe Holanda e Finlanda, vende këto që kanë dërguar trupa në ishull, përballen me tarifa doganore prej 10%.
E teksa në Europë po shqyrtohet tani mundësia e pezullimit të marrëveshjes së arritur me Uashingtonin të vitit të kaluar, por që ende duhet ratifikuar nga Parlamenti Euorpian, kërcënimi i një lufte të re tregtare me SHBA-në po shton nervozizmin në tregje. Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po punon për të koordinuar një përgjigje europiane ndaj tarifave doganore nga ana e SHBA-së, po nxit aktivizimin e Instrumentit të Bashkimit Evropian Kundër Presioneve. Macron, deklaroi se kërcënimet e Trumpit janë “të papranueshme”.
