Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i telefonoi liderit bjellorus, Aleksandr Lukashenko, vetëm disa orë para takimit me Vladimir Putinin javën e kaluar në Alaskë, duke i befasuar shumë vëzhgues dhe politikanë.
Trumpi shkroi në rrjetet sociale – duke e përshkruar Lukashenkon si “president shumë të respektuar” – se biseda e tij me të ishte përqendruar tek lirimi i 1.300 të burgosurve politikë.
Sipas Valer Kavaleuskit, kreut të një organizate në mërgim të quajtur Agjencia e Çështjeve Euro-Atlantike, theksi i Trumpit mbi të burgosurit politikë ishte thellësisht simbolik.
“Trump e vendosi çështjen humanitare, lirimin e të burgosurve politikë, në krye të mesazhit të tij”, tha Kavaleuski për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Kjo thekson se negociatat humanitare janë të përshtatshme si për Minskun, ashtu edhe për Uashingtonin. Ato shmangin çështjet e vështira, si gjeopolitika apo lufta në Ukrainë, ndërkohë që duken bujare dhe të denja, sepse lidhen me jetën e njerëzve”, nënvizoi ai.
Për Lukashenkon, i kritikuar prej kohësh dhe i izoluar nga Perëndimi si diktator dhe aleat i ngushtë i Putinit, telefonata e Trumpit përfaqësonte një përparim diplomatik.
“Një dhuratë për Lukashenkon”
Valer Karbalevich, analist politik për Shërbimin bjellorus të REL-t, tha se kjo telefonata ishte “dhuratë e madhe” për Lukashenkon, sepse i mundëson një rrugë kthimi pas shkatërrimit të marrëdhënieve me Perëndimin kur i shtypi brutalisht protestat masive kundër manipulimit në zgjedhjet e vitit 2020.
“Lukashenko është i kënaqur”, shkroi ai. “Ai ndien qartazi një shqetësim psikologjik sepse, tash e pesë vjet, vendet perëndimore nuk e kanë njohur si president të Bjellorusisë”.
Por, Kavaleuski mendon ndryshe: “Edhe me letra të dobëta në dorë, si i panjohur, nën kontrollin rus dhe i përfshirë në agresion kundër Ukrainës, Lukashenko arriti të lidhej me Trumpin… Kjo nuk ishte dhuratë. Ishte rezultat i një diplomacie të synuar dhe të aftë të bjellorusëve”.
Svyatlana Tsikhanouskaya, udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, përshëndeti përpjekjet e Trumpit për lirimin e të burgosurve politikë në Bjellorusi, por kërkoi vazhdimin e trysnisë ndaj regjimit të Lukashenkos.
“Ky është mision i rëndësishëm humanitar nga presidenti [Trump] – ta shpëtojë jetën e njerëzve të pafajshëm. Ne tani presim që regjimi i Lukashenkos të ndalë plotësisht shtypjen dhe të lirojë të gjithë njerëzit e pafajshëm nga burgu, një hap thelbësor drejt paqes, lirisë dhe pajtimit. Dhe, derisa kjo të ndodhë, nuk duhet të ketë ndryshim në politikën ndaj regjimit”, shkroi Tsikhanouskaya në rrjetet sociale.
Lukashenko deri tani ka dhënë pak hollësi. Sekretarja e tij për shtyp, Natallya Eismant, tha vetëm se “puna në këtë drejtim është duke u zhvilluar”.
Organizatat për të drejtat e njeriut janë skeptike.
Paval Sapelka nga qendra bjelloruse për të drejtat e njeriut, Vyasna, theksoi se shtypja është intensifikuar muajt e fundit, edhe pse herë pas here fal të burgosurit.
“Autoritetet po dëshmojnë procese paralele. Shtypja po vazhdon dhe po përkeqësohet, sipas disa treguesve. Ndërkohë, disa persona lirohen me falje, ndonjëherë me dëbim të menjëhershëm, gjë që është e papranueshme”, tha Sapelka për REL-in.