Në Spitalin Nasser dhe në gjithë Gazën, situata humanitare po përkeqësohet nga ora në orë. Mjekët dhe pacientët po luftojnë për mbijetesë mes kolapsit total të sistemit shëndetësor dhe krizës ekstreme të urisë.
Mjekët punojnë me stomak bosh, shpesh duke i humbur ndjenjat nga rraskapitja, ndërsa para syve të tyre po vdesin foshnjat e kequshqyera. Sipas CNN-it, ndihma humanitare vazhdon të jetë e pamjaftueshme.
Doktori Mohammad Saqer, drejtor i infermierisë në Spitalin Nasser, tha për CNN se një ditë i kishte humbur ndjenjat në repart gjatë punës, për shkak të urisë ekstreme.
“Kolegët e mi më kapën para se të rrëzohesha dhe më dhanë lëngje intravenoze dhe sheqer. Ishte një mjek i huaj që e kishte një lëng Tango dhe ma përgatiti. E piva menjëherë,” tha ai. “Nuk jam diabetik – kjo ishte nga uria. Nuk ka sheqer. Nuk ka ushqim”.
Ai shton se rënia pa ndjenja në vendin e punës është bërë gjithnjë e më e zakonshme edhe për kolegët e tij.
“Jemi tërësisht të shteruar fizikisht, dhe ndërkohë duhet të trajtojmë pacientë që janë po aq të rraskapitur. Njerëz të rraskapitur duke trajtuar të tjerë të rraskapitur, të uriturit duke ndihmuar të uriturit, të dobëtit duke i ndihmuar të dobëtit,” tha Saqer.
Doktori Fadel Naim, kirurg dhe drejtor i Spitalit Al-Ahli Al-Arabi në veri të Gazës, konfirmon për CNN-in se edhe stafi i tij është në gjendje të rëndë.
