Të paktën 76 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë të zhdukur, pasi një anije që po bartte kryesisht migrantë nga Etiopia u fundos në Jemen, thanë zyrtarët më 4 gusht.
Zyrtarë të sigurisë në Jemen thanë se 76 trupa janë nxjerrë nga uji dhe 32 të tjerë janë shpëtuar nga anija që u fundos në Gjirin e Adenit.
Agjencia për migrim e Kombeve të Bashkuara tha se 157 persona ishin në bordin e anijes së fundosur.
Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Jemen, Abdusattor Esoev, tha për AFP-në se “fati i të zhdukurve nuk dihet ende”.
Pavarësisht luftës që ka mbërthyer Jemenin që nga viti 2014, ky shtet i varfër vazhdon të mbetet pikë kryesore për migrimin e parregullt, veçmas nga Etiopia, shtet po ashtu i përfshirë në konflikt etnik.
Çdo vit, mijëra person përshkojnë të ashtuquajturën “Rrugë Lindore” nga Xhibuti për në Jemen, duke e kaluar Detin e Kuq, me shpresë që do të arrijnë në shtetet e pasura të Gjirit.
