Tarifat e reja të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi drurin e importuar, mobiliet dhe dollapët e kuzhinës hynë në fuqi të martën.
Masat më të fundit përfshijnë një tarifë prej 10 për qind mbi importet e drurit të butë, ndërsa detyrimet mbi disa mobilie të mbështjella dhe dollapë kuzhine nisin nga 25 për qind.
Mobiliet, dyert dhe dritaret, materialet ndërtimore prej druri janë ndër eksportet kryesore të Kosovës në SHBA në vitet e fundit, shkruan Evropa e Lirë .
Nga 1 janari, norma për mobiliet e mbështjella të importuara pritet të ngrihet në 30 për qind, ndërsa ato për dollapët e kuzhinës do të ngrihen në 50 për qind.
Megjithatë, detyrimet për produktet prej druri nga Britania nuk do të kalojnë 10 për qind, ndërsa ato nga Bashkimi Evropian dhe Japonia do të përballen me një tavan prej 15 për qind.
Të tre partnerët tregtarë kanë arritur marrëveshje me administratën Trump për të shmangur tarifa më të ashpra.
Ende nuk është e qartë se çfarë tarifa do të vlejnë për Kosovën, që tashmë ka hequr tarifën doganore prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të importuara nga SHBA-ja.
Arieta Vula, nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, thotë se shpreson që institucionet e Kosovës do të reagojnë sa më shpejt për ta njoftuar sektorin se si do të preken ata dhe të tentojnë të arrijnë gjithashtu marrëveshje me SHBA-në që tarifat sa më të ulëta të vlejnë për Kosovën.
“Ne kemi eksport nga ana e ndërmarrjeve të drurit drejt Evropës dhe SHBA-së, mirëpo për SHBA-në duhet të sqarohen këto dilema dhe pikëpyetje sepse kjo mund ta vështirësojë eksportin drejt SHBA-së”, thotë Vula për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se, edhe pse eksporti në SHBA nuk është shumë i madh, ai ka filluar të rritet dhe tarifat do ta bënin eksportin të paleverdishëm në disa mënyra.
“Prodhuesit do ta zvogëlonin eksportin sepse fillon e zvogëlohet kërkesa për të marrë produkte nga Kosova prej SHBA-së. Në momentin kur atyre u rritet tarifa, ata kërkojnë në tregjet ku e kanë tarifën më të vogël”, shton ajo.
Megjithatë, ajo sqaron se një tarifë potenciale nuk do ta ndikonte çmimin e këtyre produkteve për konsumatorët kosovarë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, detyrimet doganore u vendosën për të forcuar industrinë amerikane dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ato bëhen pjesë e një sërë tarifash të veçanta sektoriale që Trumpi ka vendosur që prej rikthimit të tij në presidencën amerikane.
