Mbështetja e amerikanëve për politikat e presidentit Donald Trump rreth migrimit ranë në pikën e tyre më të ulët që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, sipas një sondazhi nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”. Shumica e të anketuarve thanë se shtypja ndaj imigrimit ka shkuar tepër larg.
Sondazhi i zhvilluar në nivel vendi nga e premtja deri të dielën grumbulloi përgjigje para dhe pas rastit të së shtunës, kur oficerët e migrimit e vranë qytetarin e dytë amerikan në Minneapolis gjatë përleshjeve me protestuesit për shkak të dislokimit të agjentëve të migracionit nga Trumpi në qytete të ndryshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vetëm 39 për qind e amerikanëve e mbështesin punën që është duke e bërë Trumpi rreth migrimit, nga 41 për qind sa ishin më herët këtë muaj, ndërsa 53 për qind nuk përkrahin një politikë të tillë, sipas rezultateve të sondazhit.
Imigrimi ishte një pikë e fortë për popullaritetin e Trumpit në javët e para pas kthimit të tij në pushtet. Në shkurt, 50 për qind e përkrahnin punën e tij në këtë fushë, ndërsa 41 për qind e të anketuarve ishin të pakënaqur.
