Kur truprojat dhe shoferët shumë të trajnuar e besnikë të zyrtarëve të lartë iranianë erdhën në punë, pranë Rrugës Pasteur në Teheran — ku Ajatollah Ali Khamenei u vra në një sulm ajror izraelit të shtunën — izraelitët po i vëzhgonin.
Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në Teheran ishin hakuar prej vitesh; pamjet e tyre ishin të enkriptuara dhe transmetoheshin në serverë në Tel Aviv dhe në jug të Izraelit, sipas dy personave që ishin në dijeni të këtij fakti, shkruan “Financial Times”.
“Njëra nga kamerat kishte një kënd veçanërisht të dobishëm”, tha njëri prej tyre, duke treguar se kjo i lejonte ata të përcaktonin se ku këta persona pëlqenin të parkonin makinat e tyre personale dhe duke ofruar një dritare për të parë funksionimin e një pjese të zakonshme të kompleksit të ruajtur rreptësishtë.
Algoritme komplekse shtonin detaje në dosjet për anëtarët e këtyre rojeve të sigurisë, që përfshinin adresat e tyre, oraret e punës, rrugët që merrnin për të shkuar në punë dhe, më e rëndësishmja, se kë zakonisht ishin të caktuar të mbronin dhe të transportonin — duke ndërtuar atë që oficerët e inteligjencës e quajnë “model jete”
Këto aftësi ishin pjesë e një fushate shumëvjeçare të inteligjencës që ndihmoi në përgatitjen e terrenit për vrasjen e Ajatollahut. Ky burim i të dhënave në kohë reale — një nga qindra rrjedha të ndryshme informacioni inteligjent — nuk ishte mënyra e vetme me të cilën Izraeli dhe CIA arritën të përcaktonin saktësisht se në çfarë ore Khamenei, 86-vjeçar, do të ishte në zyrën e tij atë mëngjes të së shtunës dhe kush do të ishte me të.
Po ashtu, një faktor tjetër ishte se Izraeli arriti të ndërpresë funksionimin e disa komponentëve të më shumë se 10 kullave të telefonisë mobile pranë Rrugës Pasteur, duke bërë që telefonat të dukeshin sikur ishin të zënë kur thirreshin dhe duke penguar ekipin e mbrojtjes së Khameneit të merrte paralajmërime të mundshme.
“Shumë kohë përpara se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin siç njohim Jerusalemin”, tha një zyrtar aktual i inteligjencës izraelite, shkruan “Financial Times”. “Dhe kur e njeh një vend aq mirë sa rrugën ku je rritur, vëren menjëherë edhe gjënë më të vogël që nuk është në vendin e saj.”
Pamja e dendur e inteligjencës mbi kryeqytetin e armikut të betuar ishte rezultat i një mbledhjeje të mundimshme të të dhënave, e mundësuar nga njësia e avancuar e inteligjencës së sinjaleve të Izraelit, Unit 8200, nga burimet njerëzore të rekrutuara nga agjencia e inteligjencës së jashtme Mossad dhe nga grumbulli i madh i të dhënave që inteligjenca ushtarake përpunonte në raporte të përditshme.
“Izraeli përdori një metodë matematikore të njohur si analiza e rrjeteve sociale për të analizuar miliarda pika të dhënash, për të zbuluar qendra të papritura të vendimmarrjes dhe për të identifikuar objektiva të rinj për t’u vëzhguar dhe vrarë”, tha një person i njohur me përdorimin e saj. “E gjithë kjo ushqente një linjë prodhimi me një produkt të vetëm: objektiva”.
“Në kulturën e inteligjencës izraelite, inteligjenca për objektivizim është çështja taktike më thelbësore — ajo është projektuar për të mundësuar një strategji,” tha Itai Shapira, gjeneral brigade në rezervë në ushtrinë izraelite dhe veteran 25-vjeçar i drejtorisë së saj të inteligjencës. “Nëse vendimmarrësi vendos se dikush duhet të eliminohet, kultura në Izrael është: ‘Ne do ta sigurojmë inteligjencën për objektivin’.”
Izraeli ka vrarë qindra njerëz jashtë vendit, përfshirë liderë militantë, shkencëtarë bërthamorë dhe inxhinierë kimikë — e po ashtu, edhe shumë civilë të pafajshëm gjatë procesit.
Epërsia e inteligjencës së vendit u shfaq qartë në luftën 12-ditore qershorin e kaluar, kur më shumë se dhjetë shkencëtarë bërthamorë iranianë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë u vranë brenda pak minutash në një valë fillestare sulmesh.
Kjo u shoqërua me paralizimin e paprecedentë të mbrojtjes ajrore të Iranit përmes një kombinimi të sulmeve kibernetike, dronëve me rreze të shkurtër dhe municioneve precize të lëshuara nga jashtë kufijve të Iranit, duke shkatërruar radarët e sistemeve raketore të ndërtuara nga Rusia.
“Ne ua morëm sytë së pari,” tha një zyrtar i inteligjencës.
Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë përdorën një lloj të veçantë rakete të quajtur Sparroë , variantet e së cilës mund të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë ngrënieje nga më shumë se 1,000 km larg — shumë larg Iranit dhe jashtë rrezes së sistemeve të tij të mbrojtjes ajrore.
Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike për të mbrojtur burimet dhe metodat që ende përdoren për të gjurmuar objektiva të tjerë.
Por vrasja e Khameneit ishte një vendim politik, jo thjesht një arritje teknologjike, thanë disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të inteligjencës izraelite, të intervistuar për këtë histori.Kur CIA dhe Izraeli përcaktuan se Khamenei do të mbante një takim të shtunën në mëngjes, në zyrat e tij pranë Rrugës Pasteur, mundësia për ta vrarë atë bashkë me një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë iraniane u konsiderua veçanërisht e favorshme.
Ata vlerësuan se ndjekja e tyre, pasi lufta të kishte filluar plotësisht, do të ishte shumë më e vështirë, pasi iranianët do të fillonin shpejt praktika shmangëse, përfshirë zhvendosjen në bunkerë nëntokësorë të paprekshëm nga bombat izraelite.
Khamenei, ndryshe nga aleati i tij, lideri i Hizbollahut Hassan Nasrallah, nuk jetonte i fshehur. Nasrallah kishte kaluar vite në bunkerë nëntokësorë duke shmangur disa tentativa izraelite për ta vrarë deri në shtator 2024, kur avionët luftarakë izraelitë hodhën deri në 80 bomba mbi strehimin e tij në Bejrut.
Në vend të kësaj, Khamenei kishte folur publikisht për mundësinë e vrasjes së tij, duke e minimizuar jetën e vet si të parëndësishme për fatin e Republikës Islamike — madje disa ekspertë të Iranit thanë se ai priste të bëhej martir.
Megjithatë gjatë kohës së luftës, sipas një personi të e intervistuar, ai mori disa masa paraprake. “Ishte e pazakontë që ai të mos ishte në bunker — ai kishte dy bunkerë — dhe nëse do të kishte qenë aty, Izraeli nuk do të mund ta arrinte atë kurrë me bombat që ka,” tha ai.
