Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur shqetësimin e thellë të Shqipërisë pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë MiG-31.
Në një postim në X, ajo theksoi solidaritetin e plotë me vendin aleat dhe rikonfirmoi unitetin e NATO-s kundër provokimeve ruse.
“Thellësisht të shqetësuar për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë Mig-31 këtë mëngjes. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Aleatin tonë, Estoninë. NATO mbetet e bashkuar kundër provokimeve të Rusisë.”, shkruan Spiropali.
Përshkallëzimi i tensioneve dhe kërkesa e Estonisë
Incidenti, i cili zgjati 12 minuta dhe ku avionët rusë kishin radiot e fikura, ka shtyrë qeverinë estoneze të kërkojë konsultime me aleatët e NATO-s sipas Nenit 4 të Aleancës. Ky veprim tregon seriozitetin e situatës dhe vjen pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore në vendet e NATO-s si Rumania dhe Polonia. Sipas Talinit, sjellja e Rusisë tregon një “paturpësi të paparë.”
