Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mirëpritur konkluzionet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke theksuar se Shqipëria duhet të vijojë me vendosmëri reformat dhe negociatat për anëtarësim.
Në reagimin e tij, Hoxha vlerëson riafirmimin e zgjerimit si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
Ai thekson gjithashtu se procesi i anëtarësimit duhet të mbështetet te parimi i meritës dhe te progresi i secilit vend kandidat.
“Por anëtarësimi nuk dhurohet. Ai fitohet, vetëm me punë, reforma, rezultate, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri”, theksoi ai.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret konkluzionet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Ne vlerësojmë riafirmimin e qartë se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Ky është një mesazh i rëndësishëm në një kohë kur Bashkimi Evropian duhet të forcojë më tej unitetin, kapacitetin e tij për të vepruar dhe sovranitetin evropian.
Ne mirëpresim gjithashtu riafirmimin e parimit të meritës, sipas të cilit çdo vend kandidat avancon në procesin e anëtarësimit mbi bazën e progresit të vet.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar për të vijuar me vendosmëri reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që burojnë nga procesi i negociatave. Progresi ynë do të matet dhe vlerësohet mbi bazën e punës, performancës dhe rezultateve tona.



