Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi se SHBA-ja nuk ka arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, pas një takimi maratonë në Islamabad, të Pakistanit, ku zyrtarët amerikanë dhe iranianë u takuan ballë për ballë për herë të parë pas 47 vitesh.
“Lajmi i keq është se nuk kemi arritur një marrëveshje, dhe mendoj se kjo është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha Vance gjatë një konference për media të dielën herët.
Ai shtoi se delegacioni amerikan po kthehet në SHBA pa një marrëveshje, por ka bërë të qarta vijat e kuqe dhe çështjet për të cilat është i gatshëm të bëjë kompromis, si dhe ato për të cilat nuk do të lëshojë pe.
Bisedimet u zhvilluan me ndërmjetësimin e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif. Delegacioni amerikan u drejtua nga Vance, ndërsa ai iranian nga kryetari i parlamentit Mohammad B. Ghalibaf. Këto ishin negociatat e para direkte midis dy vendeve që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Pjesë e delegacionit amerikan ishin edhe i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner. Nga pala iraniane ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm Seyed Abbas Araghchi.
