Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një deklaratë për mediat sot, ka publikuar listën e personave të arrestuar gjatë protestës, të cilët, sipas tij, nuk janë studentë dhe nuk kanë lidhje me këtë kategori.
Me inicialet dhe fotot me sytë e mbuluar, Edi Rama ka paraqitur listën e tyre, duke përmendur gjithashtu akuzat që rëndojnë ndaj tyre dhe precedentët e mëparshëm penalë.
Rama tha se këta persona janë përdorur në këtë protestë për të ushtruar dhunë, ndërsa në precedentët penalë që lexoi, disa prej tyre rezultojnë të dënuar me burg për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasjen.
“Po i marr me radhë një për një dhe besoj që çdo koment është i tepërt nga ana ime, sepse mjaftojnë çehret që pavarësisht fshehjes së identitetit mund të lexohen si përfaqësi e një bote të zymtë, të errët dhe të jashtëligjshme dhe karrierat e këtyre individëve që e përsëris, janë paguar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, që me çdolloj kusht duan ta kthejnë përmbys edhe njëherë Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria ka ngritur kokën dhe me dinjitet është vendosur në arenën ndërkombëtare si një kandidat i respektueshëm i familjes së Europës së bashkuar.
Këta nuk janë studentët. E kam thënë qysh në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha ditë pas dite, rast pas rasti që fjalia “këta nuk janë studentët” të mbështetet nga fakte, të mbështetet nga dokumente.
Po e filloj me studentin e parë: studenti i parë është ‘’studenti’’ G.I: 57 vjeç, i cili është dënuar më parë për veprat e dhunës në familje dhe mosbindjes ndaj urdhrit të policisë, dënuar më parë.
Precedent kriminal ka ‘’studenti’’ B.P: 41 vjeç, prishje të rendit dhe qetësisë publike, dhunë në familje ndaj vëllait të tij dhe ndaj motrës, tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me të motrën.
Vazhdojmë me studentin, gjithmonë në thonjëza, A.B, 40 vjeç, precedentë kriminal për pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme si dhe për dhunë ndaj punonjësit të policisë gjatë organizimit të protestave të paligjshme.
Vazhdojmë me ‘’studentin’’ E.K: Vjedhje, pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, pengimi i qarkullimit, dëmtime të tjera me dashje, të gjitha këto vepra për të cilat është dënuar më parë.
S.X: 28 vjeç, precedent kriminal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
E.V: 45 vjeç, precedent kriminal për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash, i dyshuar për marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit.
S.D: 45 vjeç, precedentë kriminal për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje.
Vazhdojmë me XH.P: 27 vjeç, precedentë kriminal, pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar.
Vazhdojmë me V.A 36 vjeç. Precedent kriminal dënuar me 40 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në Britaninë e Madhe si dhe me dy vjet dhe pesë muaj burgim për veprën penale trafikim i qenieve njerëzore.
Vazhdojmë me A.M 28 vjeç precedent kriminal për veprën penale shkelje rregullave të qarkullimit dëmtim me dashje, mashtrim, falsifikim dokumentash.
Vazhdojmë me A.F 38 vjeç prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike si dhe vjedhje, precedentët e tij kriminalë.
Z.M 30 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike dënuar në Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht vjedhje.
A.P 17 vjeç, as nxënës as student, precedent kriminal dëmtime të tjera me dashje.
L.A, 24 vjeç. Mashtrim, kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës së punonjës të policisë. Asnjë lidhje me universitetin, asnjë lidhje me studentët.
AB 20 vjeç, dëmtime me dashje, shkatërrim i pronës, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, asnjë lidhje me universitetin
F.D 32 vjeç, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Dëmtime të tjera me dashje pa asnjë lidhje me universitetin
L.M 37 vjeç. Kundërshtimi i punonjësit të policisë, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Asnjë lidhje me universitetin
S.D 24 vjeç. Vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike
F.M 25 vjeç, precedent kriminal, plagosje lehtë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, vjedhje, dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Pra, një grabitës me dhunë.
I.G 36 vjeç, lokal për prostitucion, precedenti kriminal.


