Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë ka njoftuar se vendi ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me kompaninë izraelite Rafael Advanced Defense Systems për blerjen e sistemeve Shorad-Vshorad, me vlerë mbi 2 miliardë euro (rreth 2.3 miliardë dollarë).
Bëhet e ditur se marrëveshja vjen në kuadër të përpjekjeve të shteteve evropiane për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, veçanërisht pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe presionit të vazhdueshëm nga presidenti Donald Trump.
Si një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s që kufizohet me Ukrainën në një vijë prej 650 kilometrash, Rumania ka qenë e ekspozuar ndaj rreziqeve të sigurisë, përfshirë edhe rënien e copave të dronëve rusë në territorin e saj gjatë sulmeve ndaj porteve ukrainase.