Një vlerësim i fundit për situatën politike, sigurinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri evidenton përparime në disa fusha, por gjithashtu ngre shqetësime për korrupsionin, transparencën institucionale dhe nevojën për reforma të mëtejshme.
Sipas raportit të publikuar nga struktura e Departamentit Amerikan të Shtetit, OSAC (Overseas Security Advisory Council), proceset e fundit zgjedhore në Shqipëri kanë qenë më të qeta dhe më të balancuara krahasuar me vitet e mëparshme, megjithëse vazhdojnë të ekzistojnë probleme që lidhen me financimin e fushatave, përdorimin e burimeve publike dhe klimën politike.
Raporti thekson se zgjedhjet në Shqipëri historikisht janë shoqëruar me shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në procesin zgjedhor. Megjithatë, sipas vlerësimit, zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u zhvilluan në përgjithësi në një atmosferë të qetë, raportojnë mediat në Shqipëri.
