Tensionet sociale në Itali janë përshkallëzuar ndjeshëm, teksa qytetet kryesore janë përfshirë nga protesta të fuqishme kundër rritjes së lartë të kostos së jetesës.
Të shtunën, qendra historike e Milanos dhe qyteti i Bolonjës u shndërruan në skena të vërteta përleshjesh mes forcave të rendit dhe demonstruesve, duke shkaktuar të lënduar, të arrestuar dhe kaos të plotë në zonat më të frekuentuara turistike.
Në Milano, situata u tensionua veçanërisht në sheshin përballë Katedrales Gotike (Duomo). Policia, e pajisur me mjete speciale për shpërndarjen e turmave dhe ndërhyrje kundër trazirave, ndërhyri për të zmbrapsur grupe protestuesish me fytyra të mbuluara dhe kapuçë, raportojnë mediat italiane.
Këta të fundit ishin shkëputur nga marshimi kryesor dhe po tentonin të depërtonin brenda "Galleria Vittorio Emanuele II", kompleksit të famshëm të dyqaneve luksoze që shtrihet ngjitur me sheshin e katedrales.
Për shkak të eskalimit, dyqanet dhe bizneset përreth u detyruan të mbyllnin me urgjencë qepenat, ndërkohë që qindra turistë u larguan me panik nga zona qendrore.




