Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha të dërguarit amerikan, Steve Witkoff, se Moska është e gatshme për rinisjen e bisedimeve të paqes me Ukrainën, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, proces që ka ngecur.
Kështu tha këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yury Ushakov, pasi Putin dhe Witkoff u takuan në Shën Petersburg.
“Presidenti ynë e informoi Steve Witkoffin se ne jemi, në parim, të gatshëm, për të rinisur bisedimet e përmendura”, tha Ushakov për mediat, duke shtuar se bisedimet do të mbaheshin në nëntor “me pikën kryesore të ndërtimit të sigurisë”.
Kremlini vazhdimisht ka përmendur shqetësimet e sigurisë dhe kërkesat për të ashtuquajturën zonë të sigurisë për të justifikuar luftën e tij kundër Ukrainës, teksa i përdorë këto si argumente për të vazhduar pushtimin e territoreve.
Kjo ishte hera e nëntë që Witkoff vizitoi Rusinë për të zhvilluar bisedime me Putinin. Witkoff, së bashku me dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, kanë shërbyer si negociatorët kryesorë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
Trump e ka bërë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës prioritet kur nisi mandatin e tij aktual në janar të vitit 2025, por Kievi dhe Moska vazhdojnë të kenë qëndrime shumë të largëta në negociata dhe bisedimet kanë ngecur.
Kremlini nuk ka ofruar asnjë lëshim, duke i refuzuar vazhdimisht thirrjet për armëpushim dhe duke vazhduar sulmet e pandërprera dhe vdekjeprurëse në të gjithë Ukrainën. Kërkesat e tij përfshijnë kontrollin e plotë mbi territorin në rajonin e Donjeckut, të cilin forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë në fushëbetejë.
Bisedimet në Rusi vijnë pasi një ditë më parë Witkoff zhvilloi bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Oslo.
Ushakov tha më herët se Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, nuk do të marrë pjesë fizikisht në takim, për shkak të një sëmundjeje, por u raportua se ai do të bashkohej virtualisht.
“Ne i kemi disa ide të qarta se si të arrihet paqja”, u tha Zelensky gazetarëve pas bisedimeve të mbajtura më të martën në Oslo, me ndërmjetësimin e kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store, dhe presidentit finlandez, Alexander Stubb.
Zelensky tha se Witkoff do t’i paraqiste Rusisë një propozim për bisedime trepalëshe, ku do të merrnin pjesë liderët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne duam që amerikanët t’ua përcjellin këto ide rusëve”, tha Zelensky, duke shtuar se “njëra prej ideve të rëndësishme është kalimi drejt një takimi të mundshëm trepalësh mes liderëve, për të shtjelluar çështjet që mund t’i zgjidhin vetëm ata”.
Trump foli për mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Putinit dhe Zelenskyt, duke thënë se ata nuk kanë nevojë të takohen ballë për ballë për ta arritur një marrëveshje.
“Ata nuk kanë pse të jenë në të njëjtën dhomë. Besoj se mund ta bëjnë edhe në një mënyrë tjetër”, u tha Trump gazetarëve të martën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po qëndron për vizitë në Indi, i përshkroi si “pozitive” bisedimet e Witkoffit me Zelenskyn në Oslo.
“Ishin pozitive, nuk pati asgjë të papritur apo befasuese. Tani, i pajisur me këto ide, ai do të mund të shkojë në Shën Petersburg dhe t’ia paraqesë ato palës ruse. Le të shohim nëse mund të bëjmë përparim”, u tha Rubio gazetarëve të mërkurën.
Zelensky tha se është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për ofrimin e informacioneve të inteligjencës lidhur me sulmet ruse me raketa, duke shtuar se sistemet e paralajmërimit të hershëm tashmë po funksionojnë shumë mirë.
“Jemi mirënjohës që [tani po i marrim] të dhënat e inteligjencës… Po flas për paralajmërimin e hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për njerëzit tanë, për fëmijët, të rriturit dhe civilët, sepse mund të dëgjojmë sinjalizimet kur po afrohen raketat balistike”, u tha Zelensky gazetarëve në kryeqytetin norvegjez.
Stubb tha se bisedimet në Oslo sollën “përparim të vërtetë”, si për perspektivën afatgjatë, ashtu edhe për çështjet më urgjente.
