Rasti i sulmit të dështuar me dron në aeroportin e Leipzigut në fillim të gushtit mund të lidhet gjithashtu me zbulimin e dronëve dhe eksplozivëve në Serbi, raporton javorja gjermane Spiegel.
Një nga të dyshuarit e identifikuar deri më tani për tentativën e sulmit me dron ndaj një transportuesi ukrainas në aeroportin e Leipzigut është i lidhur me një person tjetër që u arrestua në Serbi në qershor për posedim eksplozivësh, raporton Spiegel, duke cituar burime sigurie në Gjermani.
Sipas Spiegel, më 11 qershor, policia serbe ndaloi dy automjete pranë kufirit serbo-hungarez, ku ndodheshin Danilo B., i cili mban shtetësi serbe dhe ruse, dhe shtetasi serb Slobodan D.
Në makinën e parë, u gjetën pjesë të një droni të modifikuar dhe njësi kontrolli, dhe në të dytën, u gjetën kanaçe të mbushura me eksplozivë në një ndarje të veçantë.
Sipas Spiegel, të dy të dyshuarit po shkonin drejt Hungarisë, pra Bashkimit Evropian.
Të dy të dyshuarit kanë qenë në paraburgim që nga qershori, dhe autoritetet gjermane po hetojnë lidhjet e tyre me të dyshuarit në tentativën e sulmit në Leipzig, një shtetas bjellorus dhe një shtetas lituanezo-rus.

