Një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë mund të ndërpritet.
Irani po zotohet të sulmojë çdo anije që përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Ai gjithashtu po synon vendet e prodhimit të energjisë në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë rafinerinë më të madhe të naftës në Arabinë Saudite, një strukturë të gazit natyror të lëngshëm në Katar dhe një rafineri të madhe nafte në Kuvajt.
E gjithë kjo po rrit çmimet e energjisë, duke e çuar çmimin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm më lart, shkruan CNN.
Ngushtica e Hormuzit është kanali i ngushtë pranë bregdetit të Iranit. Këtu rrjedh gati 20% e konsumit global të naftës.
Të hënën, një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit tha se ngushtica është e mbyllur dhe nëse dikush përpiqet të kalojë, Irani, “do t’u “vërë flakën atyre anijeve”.
Mbyllja e saj mund të armiqësojë Kinën. Kina është importuesja më e madhe në botë e naftës bruto dhe blerësi më i madh i naftës iraniane.
Në një konferencë të rregullt për shtyp të martën, një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Pekinit tha: “Kina u kërkon të gjitha palëve të ndërpresin menjëherë operacionet ushtarake, të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve, të mbrojnë sigurinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit dhe të shmangin shkaktimin e një ndikimi më të madh në ekonominë globale”.