Media prestigjioze me bazë në Bruksel, Politico.eu, i ka kushtuar një artikull të zgjeruar kryeministrit Edi Rama dhe përpjekjeve të tij për të transformuar ekonominë shqiptare në një shoqëri pa para fizike deri në vitin 2030. Në analizën e saj, gazetarja Alice Taylor, e cila jeton prej vitesh në Shqipëri, përshkruan realitetin ku paraja në dorë mbetet mbret, ndërsa qytetarët shpesh i shmangen sistemit bankar për shkak të mungesës së besimit, të trashëguar që nga periudha e pas-komunizmit dhe skemat piramidale të viteve ’90.
Artikulli i plotë
Kryeministri i Shqipërisë nxit ëndrrën për shoqërinë e parë pa para cash
Në një vend ku “paraja në dorë është mbret”, ambicia e kryeministrit Edi Rama për të zhdukur përdorimin e saj deri në vitin 2030 do të përmbyste tërësisht shoqërinë.
Për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre nën dyshek, pranë AK-47-shit (kallashit) të tyre, siç thuhet në shakanë kombëtare, në vend që t’i mbajnë në banka. Por nëse Rama dëshiron, Shqipëria do të bëhet ekonomia e parë pa para cash në botë.
Një pjesë e madhe e arsyes për këtë është se për momentin shumë transaksione ndodhin nën banak. Eliminimi i parave cash “është një përparësi absolute për vendet me informalitet të lartë dhe sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar”, tha Selami Xhepa, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Tiranës.
Problemi është se sistemi bankar dhe shoqëria mund të mos jenë gati për të ndërmarrë këtë hap.
Shumica e shqiptarëve preferojnë t’i menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar, duke i fshehur kartëmonedhat në vende të padukshme dhe duke këmbëngulur në pagesat me para në dorë sa herë që është e mundur.
Edhe në guidat turistike për Shqipërinë, shprehja “paraja është mbret” shfaqet shpesh si këshillë për vizitorët. Edhe pse shumica e dyqaneve zinxhir ose restoranteve më të mëdha pranojnë karta, kafenetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë e telekomunikacionit dhe dyqanet ushqimore nuk e bëjnë këtë.
Në një dyqan rrobash në qendër të Tiranës, kur POLITICO u përpoq të paguante me një kartë dixhitale, arkëtari dukej i hutuar dhe pyeti, “para në dorë?”
Ishte një histori e ngjashme në taksi dhe në autobus, kur fatorino përsëriti me zë të lartë, “40 lekë”.
Qeveria e majtë dëshiron ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i vendit i Komisionit Evropian për vitin 2024 e përshkroi si një “ekonomi e madhe informale” që pengon biznesin dhe konkurrencën (për të mos përmendur uljen e të ardhurave tatimore).
Vlerësimet e vendosin ekonominë gri – pjesën e ekonomisë që nuk përfshihet në statistikat zyrtare – në midis 29 dhe 50 përqind të produktit të brendshëm bruto.
Spiro Brumbulli, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Shqiptare, i tha POLITICO-s se qeveria dhe institucionet do të hartojnë një plan për të hapur rrugën për një kalim pa para në dorë, me hapat e mëtejshëm që përfshijnë një kufi për blerjet e bëra me monedhë fizike, integrimin me sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor dhe lançimin e pagesave të menjëhershme SEPA menjëherë pas kësaj.
Trauma post-komuniste
Idetë për të shkuar drejt një shoqërie gjithnjë e më pak me para në dorë po ndiqen nga shumë vende të zhvilluara, si Suedia, Estonia dhe Irlanda. Shqipëria është një çështje tjetër, megjithatë, dhe skepticizmi i publikut është i kuptueshëm.
