Policia kundër trazirave është përleshur me kundërshtarët e partisë së ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) në rrugët e Erfurtit, në Gjermani, ku mijëra protestues u mblodhën për të bllokuar rrugët dhe për të penguar delegatët e AfD-së të merrnin pjesë në konferencën kombëtare dyvjeçare të partisë, ku do të zgjidhet udhëheqja e saj.
Policia njoftoi se rreth 20 mijë protestues po demonstronin në qytetin lindor, ku pritet që Alice Ëeidel dhe Tino Chrupalla të rizgjidhen si bashkëkryetarë të partisë, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme rajonale, në të cilat AfD mund të fitojë pushtetin në nivel të një landi për herë të parë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Protestuesit, të udhëhequr nga aleanca “Resistance”, organizuan bllokada duke u ulur në qendër të qytetit, në përpjekje për të penguar rreth 600 delegatët e AfD-së të arrinin në vendin ku po mbahej konferenca.
Mijëra efektivë policie u dislokuan në qytet. Në pamjet e publikuara, disa policë shihen duke përdorur shkopinj gome ndaj protestuesve që vraponin drejt tyre, ndërsa në video të tjera policët shihen duke u përpjekur me vështirësi të ndalin turmat e demonstruesve.
Megjithatë, një zëdhënës i policisë i tha gazetës Die Zeit se protesta kishte qenë “kryesisht paqësore”, duke shtuar se deri në atë moment ishin regjistruar pak më pak se 100 shkelje, shumica prej tyre dëmtime të pronës përmes grafiteve.
