Dy nga të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump kanë mbërritur në Moskë, para një fundjave bisedimesh që synojnë përshpejtimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Steve Witkoff dhe Jared Kushner po zhvillojnë bisedime në kryeqytetin rus, përpara se të udhëtojnë të dielën drejt Kievit për diskutime me Ukrainën, raporton BBC, përcjell Gazeta Express.
Trump u tha gazetarëve të premten se Witkoff dhe Kushner “po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”. Deri më tani, përpjekjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje nuk kanë sjellë ndonjë përparim të rëndësishëm.
Rusia dhe Ukraina kanë deklaruar se do të ndalojnë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës për tri ditë, gjatë kohës që delegacioni do të zhvillojë vizitën.
Zelensky tha të shtunën se kishte biseduar me të dërguarit, të cilët “kanë filluar tashmë të punojnë me palën ruse”.
“Plani për angazhimet diplomatike të nesërme në Kiev, ku do të marrë pjesë ekipi amerikan, është miratuar. Po presim Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe jemi të gatshëm për një bisedë thelbësore”, shtoi ai.
“Që nga tani deri në fund të së shtunës, si dhe të dielën dhe të hënën, Ukraina është e gatshme të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës dhe presim që rusët të bëjnë të njëjtën gjë sa i përket Kievit.”
Mediat shtetërore ruse raportuan se presidenti Vladimir Putin kishte urdhëruar ndalimin e sulmeve ndaj Kievit për tri ditë, për shkak të vizitës së delegacionit amerikan.
Witkoff dhe Kushner u fotografuan duke u përshëndetur nga zyrtari rus Kirill Dmitriev pas uljes në aeroportin Vnukovo të Moskës.
Të dhënat e gjurmimit të fluturimit treguan se një avion i qeverisë amerikane kishte udhëtuar nga Helsinki i Finlandës, ku kishte fluturuar nga SHBA-ja më herët gjatë ditës.
Media amerikane Axios raportoi se të dërguarit amerikanë do të takohen veçmas me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kushner dhe Witkoff e kanë vizituar disa herë Rusinë, por bisedimet e së dielës do të jenë të parat e tyre në Ukrainë.
