Zyrtarë të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara kanë bllokuar Ukrainën nga përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi Atacms për të sulmuar objektiva brenda territorit rus, që nga fundi i pranverës, sipas një raporti të publikuar të shtunën nga Wall Street Journal.
Ky vendim është pjesë e një përpjekjeje të administratës Trump për të bindur presidentin rus, Vladimir Putin, që të angazhohet në bisedime paqeje, raportoi gazeta.
Sipas WSJ, Pentagoni ka bllokuar përdorimin e Sistemeve të Raketave Taktike të Ushtrisë (Atacms), të prodhuara në SHBA. Dy zyrtarë amerikanë i thanë gazetës se Ukrainës i ishte refuzuar përdorimi i tyre në të paktën një rast, përmes një “mekanizmi shqyrtimi” të zhvilluar nga Elbridge Colby, nënsekretar i Pentagonit për politikën.
Ky mekanizëm rregullon përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së dhe atyre të aleatëve evropianë, që mbështeten në inteligjencën apo teknologjinë amerikane – përfshirë edhe raketat britanike Storm Shadow, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një zyrtari britanik.
Vendimet për përdorimin e Atacms i takojnë sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, thuhet në raport. Këto raketa kanë një rreze veprimi deri në 305 kilometra.
Sipas WSJ , Ukraina kishte marrë më parë leje për të përdorur këto armë brenda territorit rus në nëntor, pasi në luftë hynë trupa nga Koreja e Veriut.