Papa Leoni XIV ka bërë edhe një herë thirrje për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, gjatë takimit të tij të tretë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, të zhvilluar këtë të martë, 9 dhjetor, në rezidencën papnore në Castel Gandolfo.
Sipas një njoftimi të Vatikanit, biseda mes dy liderëve ka qenë “miqësore dhe e përqendruar te lufta në Ukrainë”. Ati i Shenjtë ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërkombëtar dhe ka shprehur shpresën se nismat diplomatike të nisura së fundmi do të sjellin përparim drejt paqes. Në qendër të diskutimeve ka qenë gjithashtu çështja e të burgosurve të luftës dhe kthimi i fëmijëve ukrainas të dëbuar në Rusi.
Papa Leoni XIV ka konfirmuar vijimin e mandatin të kardinalit Matteo Zuppi për një mision humanitar të destinuar për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit në shkëmbimin e të burgosurve si civilë, ashtu edhe ushtarakë si dhe në riatdhesimin e fëmijëve të zhvendosur me forcë.
Zelensky mbërriti në vilën Barberini rreth orës 09:40, i shoqëruar nga ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andrii Yurash. Ai u prit nga përfaqësues të Prefekturës së Shtëpisë Papnore dhe Garda Zvicerane. Takimi privat zgjati rreth 30 minuta, pas së cilës Papa dhe presidenti ukrainas u shfaqën së bashku në ballkonin e rezidencës me pamje nga liqeni i Castel Gandolfo. Zelensky u largua nga Castel Gandolfo rreth orës 10:20.
Takimi me Papën vjen në një moment të ngarkuar për presidentin ukrainas, i cili një ditë më parë ishte në Londër ku u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, në kuadër të negociatave për paqe. Pasditen e sotme, Zelensky do të pritet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi.
Ky është takimi i tretë mes Papës Leonit XIV dhe presidentit ukrainas. Dyshja u takua për herë të parë më 18 maj, ditën e meshës së nisjes së pontifikatit, dhe më pas zhvilluan një kontakt telefonik më 12 maj. Takimi i dytë fizik ndodhi më 9 korrik në rezidencën verore të Papës në Colli Albani.