Shefi i Kombeve të Bashkuara u ka thënë shteteve anëtare se organizata po përballet me rrezikun e një “kolapsi të menjëhershëm financiar”, duke përmendur pagesat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron OKB-në të kthejë mjetet e pashpenzuara.
Kështu thuhet në një letër që Reuters ka parë të premten.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur shpesh për përkeqësimin e krizës së likuiditetit, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri tani, në një kohë kur kontribuesi kryesor – ShBA-ja – është tërhequr nga multilateralizmi në disa fronte.
“Kriza po thellohet, duke rrezikuar zbatimin e programeve dhe duke kërcënuar me kolaps financiar. Dhe situata do të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen e afërt”, shkruan Guterres në letrën drejtuar ambasadorëve, të datës 28 janar.
ShBA-ja ka shkurtuar financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së dhe ka refuzuar të kryejë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes. Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar OKB-në si një organizatë me “potencial të madh”, por që sipas tij nuk po e përmbush atë, ndërsa ka nisur një nismë të quajtur “Board of Peace”, e cila, sipas kritikëve, mund të minojë strukturat ekzistuese ndërkombëtare.
OKB-ja, e themeluar në vitin 1945, ka 193 shtete anëtare dhe punon për ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare, promovimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin social e ekonomik dhe koordinimin e ndihmave humanitare.
Në letrën e tij, Guterres shkruan se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt tani janë shpallur zyrtarisht”. Ai nuk ka treguar se cilat shtete ka pasur parasysh, ndërsa zëdhënësi i OKB-së nuk ishte i disponueshëm për koment.
