Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF) – që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – ka dështuar në misionin e tij, në aspektin humanitar, thanë Kombet e Bashkuara më 13 qershor.
OKB-ja dhe grupet e tjera të mëdha të ndihmës kanë refuzuar të bashkëpunojnë me GHF-në lidhur me shqetësimet se ky fondacion është dizajnuar për t’i ndihmuar qëllimeve ushtarake të Izraelit.
“GHF-ja, thënë drejt, ka qenë, nga aspekti humanitar, një dështim”, tha Jens Laerke, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për ndihmë humanitare, OCHA, gjatë një konference për media në Gjenevë.
“Ata nuk po bëjnë atë që duhet të bëjë një operacion humanitar, që është ofrimi i ndihmës për njerëzit ku ata gjenden dhe në një mënyrë të sigurt”.
Laerke shtoi se OKB-ja ka gati operacionin për shpërndarjen e ndihmave dhe se po presin që Izraeli t’u japë leje që të nisin shpërndarjen.
