Një vit pas vrasjes tragjike të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, dhimbja për familjen e saj mbetet po aq e fortë. Prindërit e së resë kthehen pothuajse çdo fundjavë në vendin ku u gjet trupi i vajzës së tyre, në një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës.
Flamur dhe Gëzime Sula kujdesen për memorialin e ngritur në vendin ku u gjet vajza e tyre. Nëna pastron pllakën përkujtimore dhe fotografitë, ndërsa babai vendos lule të freskëta.
Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.
Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. Ajo thotë se jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë më 2 prill.
“Jeta jonë u ndal atë ditë. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, rrëfen ajo mes dhimbjes.
Babai i saj tregon se Ilaria kishte shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo studionte Statistikë dhe pritej të diplomohej në tetor, ndërsa synonte të punonte në fushën financiare.
