Duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologët nga Greqia dhe Qiproja, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “ata që fantazojnë se mund t’i rindërtojnë perandoritë dhe sundimin e tyre mbi tokat tona”, “le ta harrojnë” këtë, në një aludim që kuptohej lehtë se ishte referencë ndaj ndikimit turk në rajon.
Duke dhënë komente krahas kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidentit qipriot, Nikos Christodoulides, Netanyahu tha: “Është e vërtetë se të gjitha vendet tona ishin të pushtuara në të kaluarën nga një varg perandorish”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Por përmes guximit e sakrificës, ne e arritëm pavarësinë tonë në kohëra modern. Atyre që fantazojnë se mund t’i rindërtojnë perandoritë e tyre dhe sundimin e tyre mbi tokat tona, u them: Harrojeni. Nuk do të ndodhë. As mos mendoni për këtë” – shtoi kryeministri izraelit.
“Ne jemi të përkushtuar dhe të aftë për ta mbrojtur veten dhe bashkëpunimi ynë e forcon edhe më tej atë kapacitet” – tha më tej Netanyahu.
