Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj liderit të ri suprem të Iranit gjatë konferencës së tij të parë për shtyp që nga fillimi i luftës, duke mbrojtur sulmet e përbashkëta ushtarake të Izraelit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Netanyahu deklaroi se Irani “nuk është më i njëjti” pas pothuajse dy javësh bombardimesh nga Izraeli dhe SHBA-të, duke shtuar se Teherani ka pësuar goditje të rënda.
Sipas tij, Izraeli synon të ndalojë Iranin që të zhvendosë projektet e tij bërthamore dhe balistike në objekte nëntokësore. Netanyahu tha gjithashtu se disa nga sulmet izraelite kanë vrarë shkencëtarë të rëndësishëm bërthamorë iranianë.
Lideri izraelit paralajmëroi se vendi i tij do të vazhdojë sulmet edhe ndaj Hezbollahut, pasi grupi i mbështetur nga Irani hapi zjarr më 2 mars në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e liderit suprem iranian në fillim të konfliktit.
