Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli është drejt fitores së luftës me Iranin. Në një deklaratë për mediat, ai gjithashtu raportoi se ushtria izraelite ka kontroll të plotë mbi qiellin e Teheranit.
“Jemi në rrugën drejt fitores. Jemi në kontroll të qiellit mbi Teheran”, tha Netanyahu. “Jemi në rrugën drejt arritjes së dy objektivave kryesorë, eliminimit të kërcënimit bërthamor dhe atij raketor. Po u themi qytetarëve të Teheranit të evakuohen dhe po ndërmarrim veprime”, shtoi ai, përcjell A2 CNN.
Lufta Izrael-Iran, çfarë ka ndodhur sot?
Zyrtarët izraelitë thonë se tetë persona janë vrarë gjatë natës nga sulmet e fundit iraniane, ndërsa konflikti mes dy rivalëve rajonalë po hyn në ditën e katërt. Numri total i të vrarëve që nga e premtja ka arritur në 24, sipas zyrës së kryeministrit izraelit dhe raportimeve mediatike.
· Nga ana tjetër, Irani thotë se mbi 200 persona janë vrarë atje që nga fillimi i konfliktit të premten. Ministria e Jashtme iraniane ka sfiduar përshkrimin që i ka bërë Izraeli goditjeve të tij si “të sakta”, duke deklaruar se shumë gra dhe fëmijë janë vrarë në zona të banuara.
· Mediat iraniane raportojnë se një spital në perëndim të vendit është “dëmtuar rëndë” pas një sulmi izraelit të hënën, sipas agjencisë AFP që citoi agjencinë iraniane Tasnim.
· Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, u detyrua të zbusë deklaratat e tij ku kishte paralajmëruar se banorët e Teheranit “do ta paguajnë çmimin” për sulmet iraniane ndaj civilëve izraelitë. Më pas ai deklaroi se Izraeli “nuk ka ndërmend të dëmtojë fizikisht banorët e Teheranit”.
