NATO ka nisur manovrat vjetore për të praktikuar mbrojtjen e territorit të aleancës me armë bërthamore.
Rreth 2.000 pjesëtarë të personelit do të përfshihen në stërvitjet e quajtura “Steadfast Noon” që do të zhvillohen gjatë dy javëve, njoftoi aleanca më 13 tetor në nisje të manovrave.
Rreth 70 avionë do të përdoren gjatë stërvitjeve, tha NATO, përfshirë avionë luftarakë gjermanë që janë të aftë të transportojnë bombat bërthamore amerikane që janë të stacionuara në Evropë.
Manovrat e këtij viti pritet të zhvillohen kryesisht në hapësirën ajrore mbi Detin e Veriut. Baza ajrore holandeze në Volkel dhe bazat ushtarake në Kleine Brogel në Belgjikë, Lakenheath në Angli dhe Skrydstrup në Danimarkë pritet gjithashtu të kenë role të rëndësishme.
NATO thotë se Forcat e Armatosura gjermane kanë ofruar tre avionë Tornado, që janë të aftë të gjuajnë bomba bërthamore amerikane dhe katër Eurofighter për stërvitje.
Sipas aleancës, këto janë stërvitje rutinore dhe nuk janë përgjigje ndaj shkeljeve të fundit të hapësirave ajrore dhe provokimeve të tjera të bëra nga Rusia. Megjithatë, manovrat po ashtu synojnë të përçojnë një sinjal të qartë në Moskë se NATO-ja është e përgatitur që të mbrojë veten edhe me armë bërthamore, nëse është e nevojshme.
Kjo stërvitje është e nevojshme për të siguruar që parandalimi bërthamor të mbetet sa më i besueshëm dhe efektiv, tha javën e kaluar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
