“Doni një parti të re politike? Do ta keni!”, kështu deklaroji Elon Musk në fillim të korrikut, duke hedhur në skenën politike amerikane një emër të ri: Partia Amerikane.
Analiza e The Guardian:
Njeriu më i pasur në botë nuk e ka fshehur asnjëherë prirjen për deklarata të bujshme. Në këtë rast, ai i përshkroi Shtetet e Bashkuara si një sistem të falimentuar nga ryshfeti dhe shpërdorimi, ku sipas tij, demokracia ka humbur rrugën. “Jetojmë në një sistem njëpartiak, jo në një demokraci. Sot, Partia Amerikane është formuar për t’ju kthyer lirinë tuaj,” tha Musk .
Ambicia është e qartë: një alternativë reale ndaj demokratëve dhe republikanëve, një formacion i ri që synon të ndërhyjë në vendimmarrjen legjislative duke garuar për disa vende kyçe në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Musk beson se mjafton të kapësh disa ulëse në Kongres për të pasur ndikim vendimtar në ligjet më të debatueshme.
Por ekspertët janë skeptikë. Bernard Tamas, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Valdosta-s dhe autor i librit “Vdekja dhe Rilindja e Partive të Treta Amerikane”, e sheh nismën si një përpjekje të dëshpëruar dhe të destinuar për dështim. “Në këtë moment, nuk ka asnjë provë që një parti e tretë mund të fitojë realisht vende në Kongres, e aq më pak të ketë ndikim në politikë,” shprehet ai.
Tamas thekson se nuk janë vetëm paratë që i bëjnë demokratët dhe republikanët kaq të fuqishëm — janë dekadat e strukturës, rrjeti i konsulentëve, makineritë e fushatave dhe lidhjet mediatike që nuk mund të imitohen përmes një startup-i politik, sado karizmatik të jetë themeluesi i tij.
Vetë mënyra se si lindi ideja e Partisë Amerikane shton dyshimet. Pas përplasjes publike me Donald Trump, Musk duket se reagoi me vrull më shumë se me vizion. Si shumë ide të lindura nga zemërimi, edhe kjo duket se po ecën me improvizim. Faqja e internetit “americaparty.com” rezulton e regjistruar nga dikush tjetër, i cili tani e ofron për shitje me çmimin marramendës prej 6.9 milionë dollarësh. Edhe llogaria @AmericaParty në platformën X — e zotëruar nga vetë Musk — ishte e zënë, duke e detyruar partinë të përdorë një emër alternativ.
Përveç një retorike kundër rritjes së borxhit publik dhe korrupsionit, nuk ka ende asnjë platformë të qartë politike, asnjë manifest dhe asnjë projekt konkret legjislativ. Çfarë përfaqëson kjo parti? Kush janë kandidatët? Çfarë qëndrimesh kanë? Deri tani, vetëm heshtje.