Ish-kryeministri i Çekisë, Andrej Babish ka shënuar rikthim dramatik, duke i fituar zgjedhjet parlamentare katër vjet pasi është larguar nga pushteti.
Por, ai tani përballet me negociata të vështira për të formuar shumicën qeverisëse.
Këto zgjedhje janë vëzhguar nga afër nga aleatë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për shkak të ndikimit që mund të kenë në politikat për Ukrainën.
Pas 95 për qind të votave të numëruara, rezultatet tregojnë se Babishi, miliarderi në krye të partisë ANO (PO) është fitues i qartë. Megjithatë, ai nuk e ka shumicën e ulëseve në Parlament, çka nënkupton se do t’i duhet të gjejë partnerë koalicioni.
Shumë analistë sugjerojnë se në qeverisje mund të përfshihet e djathta ekstreme, SPD, e cila ka bërë thirrje për largimin e Çekisë nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.
“Nëse qeveria do të varet nga pozicioni apo mbështetja e SPD-së, atëherë situata do të jetë e komplikuar”, ka thënë Jan Machacek, këshilltar për çështje të jashtme i presidentit çek, Peter Pavel, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Machacek ka thënë se kjo do të ishte “situatë shumë e rrezikshme për politikën e jashtme, sepse SPD-ja është ekstremiste, shumë kundër Ukrainës dhe BE-së, dhe parti proruse”.
Babishi ka përdorur retorikë euroskeptike dhe ka sugjeruar se do t’i japë fund iniciativës çeke për të blerë municione për Ukrainën.
