Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar ashpër Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GD BE), pas një vendimi që konsiderohet goditje ndaj një prej iniciativave të saj kryesore për frenimin e emigracionit të parregullt.
Në vitin 2023, Meloni nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për ngritjen e qendrave të përpunimit të kërkesave për azil, të menaxhuara nga autoritetet italiane në Gjadër dhe Shëngjin. Plani parashikonte që emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe dhe që vinin nga vende të cilësuara si të sigurta, të dërgoheshin në këto qendra për një procedurë të përshpejtuar azili. Por gjykatat italiane e pezulluan zbatimin e skemës, duke vënë në dyshim mënyrën se si qeveria kishte përcaktuar sigurinë e disa vendeve të origjinës si Bangladeshi dhe Egjipti.
Të premten, Gjykata e Drejtësisë së BE-së vendosi se vendet anëtare mund të shpallin një vend të tretë si “vend i sigurt i origjinës”, por vetëm nëse ky përcaktim mbështetet në kritere të qarta, objektive dhe i nënshtrohet rishikimit gjyqësor . “E drejta e BE-së nuk e ndalon një shtet anëtar të përcaktojë një vend të tretë si të sigurt, për aq kohë sa ekziston mundësia për rishikim efektiv nga gjykatat,” thuhet në vendim.
Zyra e Kryeministres italiane reagoi me tone të ashpra ndaj vendimit, duke e akuzuar gjykatën për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në politikat e emigracionit, një fushë që, sipas qeverisë italiane, duhet të mbetet në dorën e shteteve.
“Vendimi dobëson politikat për luftimin e emigracionit të paligjshëm masiv dhe për mbrojtjen e kufijve kombëtarë,” thuhej në deklaratë. Sipas saj, gjykata vendosi që “opinioni i gjyqtarëve të ketë përparësi ndaj rezultateve të hetimeve të kryera nga ministritë përkatëse dhe të vlerësuara nga Parlamenti sovran”.
“Kjo është një vendim që duhet të shqetësojë të gjithë,” vijon deklarata, “sepse kufizon edhe më tej hapësirën tashmë të vogël për vendimmarrje të pavarur nga qeveria dhe parlamenti.”
Zëvendëskryeministri dhe lideri i Ligës së ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, e quajti vendimin “skandaloz”, duke shtuar se “shkatërron sovranitetin kombëtar” dhe është “një tjetër dëshmi e një Evrope që nuk funksionon.”
