Në një zhvillim që po cilësohet si moment historik për tregun global të kriptomonedhave, Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar Ligjin GENIUS (Guiding and Establishing National Innovation for U.S. Stablecoins) me 68 vota pro dhe 30 kundër.
Ky ligj, i cili gëzon mbështetje dypartiake, është përpjekja më serioze deri tani për të krijuar një kuadër ligjor të qartë për stablecoin-et — monedhat dixhitale të lidhura me vlerën e dollarit amerikan.
Ligji synon të vendosë rregulla të qarta për emetimin, rezervat dhe mbikëqyrjen e stablecoin-eve që përdoren për pagesa të përditshme.
Ndër dispozitat më të rëndësishme përfshihen mbulimi 1:1 me dollarë apo obligacione shtetërore, ndalimi i stablecoin-eve që ofrojnë interes, si dhe kufizimi i përdorimit të stablecoin-eve të emetuara nga kompani të huaja që nuk janë të licencuara në SHBA.
Një element kyç i ligjit është ndarja e rregullimit mes nivelit federal dhe atij shtetëror: kompanitë që kanë mbi 50 miliardë dollarë në stablecoin-e do të mbikëqyren nga rregullatorët federalë, ndërsa ato më të vogla mund të operojnë me licenca shtetërore — deri në një kufi të caktuar.
Për herë të parë, Ministria e Financave e SHBA-së do të detyrohet të studiojë modelin e stablecoin-eve algoritmike – ato që nuk bazohen në rezerva të mbuluara, por në kode kompjuterike, çështje që ka shkaktuar polemika të mëdha në të kaluarën.
Industria e kriptomonedhave e ka mirëpritur këtë nismë, duke e parë si një sinjal të fortë se SHBA nuk ka për qëllim të ndalë inovacionin dixhital, por synon ta rregullojë atë në mënyrë që të garantojë siguri për përdoruesit dhe transparencë për tregun.