Gjatë seancës plenare të zhvilluar të enjten, Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për një rezolutë që dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Detajet e votimit për këtë kërkesë nuk u bënë publike, por rezultoi në rrëzimin e saj, raporton “RTSH”.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se Shqipëria duhet të kishte miratuar menjëherë rezolutën e Kosovës për njohjen e gjenocidit serb.
“Gjatë 1998-1999 forcat barbare serbe kryen në Kosovë maskara ndaj popullsisë së pambrojtur. Ata që kanë shkelur mbi gjakun, sakrificën e tyre të këtij gjenocidi të tmerrshëm ata nuk janë njerëz, e jo më shqiptarë. Ata janë në nivelin e primitivëve të njeriut, atë të kafshës, por ju të tillë nuk mund ta paraqisni veten. Ne duhet të adaptonim menjëherë rezolutën e Kosovës për gjenocidit, të mohosh gjenocidin në Kosovë do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegje njerëzore shoqëror, kombëtare. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti”, tha Berisha.
Berisha theksoi se ndaj gjenocidit serb duhet reaguar me unitet kombëtar, ndërsa akuzoi PS se po shkel mbi këtë gjenocid, pasi sipas tij, Rama “është një shërbëtor i Vuçiqit”.
“A mundet një shqiptar të shkelmojë mbi këto të dhëna ndaj gjenocidit, e bëni këtë se kreu juaj është një shërbëtor i Vuçiqit. Ndaj gjenocidit duhet të reagoni, si jeni kaq të pandjeshëm ndaj një çështje më thelbësore në ndërgjegjen e njeriut dhe ndërgjegjen kombëtare”, tha Berisha.
Për këtë kërkesë të Partisë Demokratike për mocion me debat mbi daljen me një rezolutë për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë vazhdoi tutje me përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvend.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se askush nuk mund t’i japë qeverisë leksione patriotizmi për Kosovën, duke theksuar se qëndrimet e kryeministrit kanë qenë të qarta dhe të artikuluara publikisht edhe në Beograd për njohjen e saj.
“Nuk mund të na jepni leksione patriotizmi për Kosovën. Kryeministri e ka përsëritur në mes të Beogradit kërkesën për njohjen e Kosovës, jo vetëm pas kuintave diplomatike. Kjo qeveri jo vetëm që ka çuar përpara projekte zhvillimore me Kosovën, por e ka përfshirë atë në kuadër të bashkëpunimit strategjik dhe ushtarak rajonal. Nuk ka leksione patriotizmi këtu, por hajdeni nesër në protestë, të bashkojmë fuqitë dhe të jemi një komb i bashkuar, sepse për këto çështje kërkohet unitet kombëtar,” tha Vëngu.
