Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ka dalë me deklaratë për të shprehur shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, Parlamenti shqiptar rithekson se UÇK ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Në komunikatë thuhet kërkesa e Prokurorisë rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.
