Referendumi do të mbahet, sipas vendimit të miratuar, më 25 tetor të këtij viti.
Vendimi për referendumin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të pavarur referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.
Pyetja e referendumit, e cila u lexua në seancë nga shefi i Grupit Parlamentar të SNSD-së, Sërxhan Mazalica, është:
“A i pranoni vendimet e të huajit të pa zgjedhur Christian Schmidt [përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje] dhe aktgjykimet e Gjykatës antikushtetuese të Bosnje e Hercegovinës të shqiptuara kundër presidentit të RS-së, si dhe vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit presidentit të RS-së, Millorad Dodik?”
Për vendimin votuan 50 nga 65 deputetët e pranishëm, ndërsa pjesa tjetër prej 15 deputetësh, që morën pjesë në votim, nuk votuan as për, as kundër.
Autoritetet e RS-së nuk e njohin përfaqësuesin e Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, dhe ia kontestojnë legjitimitetin, duke pretenduar se emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Koalicioni qeverisës në RS më herët kishte propozuar që referendumi të mbahej më 18 ose 25 tetor, por data u përcaktua vetëm gjatë vetë seancës, kur u precizua edhe pyetja e referendumit.
Vendimin për referendumin e shoqëroi edhe miratimi i ndryshimeve, me procedurë të përshpejtuar, në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare, të cilat do t’i mundësojnë Kuvendit të RS-së të formojë komisione të veçanta për referendumet.
Gjykata e Bosnje e Hercegovinë në fillim të gushtit shpalli një vendim të formës së prerë me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg, si dhe ndaj tij u shqiptua një ndalim prej gjashtëvjetësh i ushtrimit të funksioneve publike. Dënimi me burg u shlye me një pagesë monetare, ndërsa KQZ e Bosnjës, duke vepruar sipas aktgjykimit, ia hoqi Dodikut mandatin e presidentit të RS-së.
Që nga 18 gushti, Dodik zyrtarisht nuk është më president i RS-së, ndërsa KQZ e Bosnje është e detyruar që brenda 90 ditësh të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.
Përveç vendimit për referendumin, deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga SNSD miratuan edhe një sërë konkluzionesh me të cilat Kuvendi i RS-së “hedh poshtë” aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjës dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilat i përfundoi mandati i Dodikut në funksionin e presidentit të Republikës Sërpska.
Në konkluzione thuhet se Kuvendi Popullor kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, se “Dodik ftohet të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit të RS-së”, si dhe u kërkohet të gjitha institucioneve të entitetit të mos ndërmarrin aktivitete lidhur me shpalljen e zgjedhjeve.
Njëri nga përfundimet paralajmëron se “bashkëpunimi eventual me KQZ-në e Bosnje në lidhje me këtë çështje do të përbënte kryerje të veprës penale të mosrespektimit të vendimeve të institucioneve ose organeve të RS-së, të parashikuar në Kodin Penal të RS”.
Gjithashtu, u miratua edhe një përfundim sipas të cilit Kolegji i Kuvendit të RS duhet të përgatisë një draft-rezolutë mbi vetëvendosjen e popullit serb dhe të Republikës Sërpska, ndonëse Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk parashikon të drejtën e entiteteve për vetëvendosje.
Deputetët opozitarë gjatë debatit theksuan se Kuvendi i entitetit nuk ka kompetenca të shprehet për vendimet e gjykatave.