Testimi i një rakete balistike ndërkontinentale nga Kina në Paqësorin Jugor ka rritur shqetësimet e vendeve të rajonit dhe ka rikthyer debatin mbi garën ushtarake në Azi-Paqësor.
Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, raketa u lëshua nga një nëndetëse me energji bërthamore në ujëra ndërkombëtare dhe barte një kokë luftarake artificiale. Autoritetet kineze e cilësuan testin të suksesshëm dhe thanë se vendet bregdetare ishin njoftuar paraprakisht.
Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme. Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Ëong, e cilësoi testin destabilizues për sigurinë rajonale, ndërsa Japonia i kërkoi Pekinit të rishqyrtojë veprimet e tij. Edhe Zelanda e Re shprehu shqetësim, duke deklaruar se Paqësori Jugor nuk duhet të shndërrohet në një zonë testimi për armë me kapacitet bërthamor.
Ekspertët ushtarakë kinezë besojnë se raketa e testuar ishte Julang-3 (JL-3), një raketë balistike ndërkontinentale e lëshuar nga nëndetëset, e cila është ende në fazë zhvillimi. Ajo pritet të ketë një rreze veprimi deri në 12 mijë kilometra dhe aftësi për të mbajtur disa koka bërthamore.
Sipas analistëve, kjo armë është projektuar për të goditur objektiva strategjikë, si qendra komanduese, baza ushtarake dhe infrastrukturë kritike, duke forcuar aftësinë parandaluese bërthamore të Kinës. Mendohet se raketa është lëshuar nga një nëndetëse bërthamore e klasës Jin (Type 094), e aftë të qëndrojë nën ujë deri në 70 ditë.
