Pas shfaqjes së posterëve me gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve në Krushevc, reaguan Avokati i Popullit dhe një pjesë e opozitës në Serbi, duke kërkuar identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve.
Avokati i Popullit në Serbi, Zoran Pashalliq, u ka bërë thirrje organeve kompetente që urgjentisht të hetojnë vendosjen e posterëve me mesazhe urrejtjeje në Krushevc, të drejtuara kundër pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, si dhe të identifikojnë dhe ndjekin penalisht përgjegjësit.
Sipas njoftimit, Pashalliq kërkoi që institucionet të ndërmarrin të gjitha masat për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme, duke theksuar se shteti ka detyrimin të mbrojë të drejtat e të gjitha pakicave kombëtare dhe të reagojë ndaj çdo forme diskriminimi, gjuhe të urrejtjes dhe nxitjeje të urrejtjes etnike.
Sipas tij, mesazhe të tilla cenojnë sigurinë e qytetarëve, dëmtojnë besimin ndëretnik dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike të bazuar në të drejtat e njeriut, barazinë dhe sundimin e ligjit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve, mediave dhe zyrtarëve publikë që të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie ku dallimet respektohen dhe mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut, e jo përmes urrejtjes dhe diskriminimit.
Posterët u shfaqën para një furre buke në Krushevc, pronarët e së cilës janë shqiptarë. Në to, qytetarët ftoheshin të “kujtojnë Gazimestanin” dhe të mos blejnë në dyqanet e shqiptarëve.
Reagoi edhe juristja dhe ish-komisionerja për mbrojtjen e barazisë, Brankica Jankoviq, e cila, në një prononcim për N1, vlerësoi se posterët meritojnë dënim të gjerë shoqëror, pasi gjuha e urrejtjes po bëhet gjithnjë e më e pranueshme në shoqëri.
