Tre dekada pas rrethimit të Sarajevës, prokuroria italiane ka hapur një hetim që më në fund mund të hedhë dritë mbi një nga segmentet më të errëta të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë “snajperistët e fundjavës” që, sipas dëshmitarëve, paguheshin për të qëlluar mbi civilë.
Një nga të parët që e zbuloi këtë histori ishte Edin Subashiq, ish-oficer i inteligjencës së Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës.
Subashiq për TRT Balkan tregon detajet e rrëfimit – nga momenti kur e zbuloi deri te informacionet e fundit që lidhen me hetimin e prokurorisë italiane.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, përveç pozicioneve të zakonshme nga ku vepronin snajperistët serbë, hetimet zbulojnë se zona kodrinore që e rrethonte qytetin ishte shndërruar edhe në terren për një fenomen makabër: të ashtuquajturit “snajperistë të fundjavës”.
Sipas dëshmive të mbledhura, këta individë nuk kishin asnjë lidhje me konfliktin në Bosnjë. “Ata vinin nga vende të ndryshme të Evropës – kryesisht nga Italia – vetëm për të qëlluar mbi qytetarët e Sarajevës, duke e kthyer vrasjen në argëtim. Bëhej fjalë për persona të pasur, gjuetarë profesionistë në vendet e tyre, të cilët kërkonin “përjetime adrenaline” në zonën e luftës, duke përfaqësuar një sistem të deformuar vlerash”.
Sipas deklaratës së Edin Subashiqit, prania e tyre u konfirmua pasi një vullnetar serb nga Paracini i Serbisë, i kapur në fund të vitit 1993 në Hrastno Brdo, pranoi se mes vullnetarëve dhe mercenarëve kishte parë edhe italianë të veshur me pajisje të shtrenjta gjuetie dhe të armatosur me snajperë të avancuar. Sipas dëshmisë së tij, një gjuetar nga Milano paguante për të ardhur në Grbavica me qëllim që të qëllonte mbi Sarajevë, duke e cilësuar këtë si “hobi”.
