Protestat kundër regjimit iranian janë përshkallëzuar në disa qytete të vendit, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se të paktën 48 protestues janë vrarë që nga nisja e demonstratave në 28 dhjetor. Situata mbetet tejet e tensionuar, në kushtet e një ndërprerjeje pothuajse totale të internetit në mbarë vendin, që synon të izolojë informacionin dhe të pengojë raportimin nga terreni.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se Uashingtoni do të përfshihet nëse autoritetet iraniane fillojnë të vrasin njerëz.
“Do t’i godasim shumë fort aty ku u dhemb”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se çdo përfshirje amerikane nuk do të nënkuptojë trupa tokësore. Ai deklaroi se Irani ndodhet në telashe të mëdha dhe se protestuesit po marrin kontrollin e disa qyteteve, gjë që deri pak javë më parë dukej e pamundur.
Në terren, dëshmitarë dhe aktivistë raportojnë se pavarësisht bllokimit së internetit, disa pamje po dalin në dritë përmes rrjeteve satelitore si Starlink, ndonëse përdorimi i tij është ndaluar zyrtarisht nga qeveria iraniane. BBC ka verifikuar video të reja nga Teherani, ku shihen turma protestuesish që brohorasin slogane kundër regjimit dhe në mbështetje të monarkisë Pahlavi, e cila u rrëzua në vitin 1979.
