26-vjeçari Klajdi Mustaj, punonjësi i policisë i cili ka bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve nga automjeti pas aksidentit në Qafë Koshovicë. Ai ka rrëfyer momentet e ngjarjes ndaj të cilave ishte i detyruar të tregohej gjakftohtë.
I emocionuar, Mustaj tha se shpëtimi i të plagosurve ishte një veprim i natyrshëm për të, edhe pse situata ishte shumë e rrezikshme.
Ndërkaq, ai shpreh shqetësimin ndaj fëmijës që ndodhej në atë aksident, pasi aktualisht paraqitet në gjendje kritike.
“Sapo kisha përfunduar shërbimin dhe po kthehesha për në shtëpi kur papritur pashë makinën që po rrotullisej disa herë derisa u përplas në pemë. Pashë makinën të shpërthente në flakë dhe menjëherë, aty kam pasur një fikëse zjarri në makinën time dhe kam shkuar për të fikur flakët. Kam nxjerrë fëmijën të parin nga makina, aty u riaktivizua flaka në mjet. Pastaj kam marrë personat e tjerë dhe i kam nxjerrë poshtë. Jam i emocionuar që kur pashë fëmijën në atë gjendje. Kam njoftuar menjëherë sallën e komandimit të Fierit dhe ka ardhur menjëherë Policia në vendngjarje, zjarrfikësja dhe autoambulanca në vendngjarje”.
