Dhjetëra diplomatë dolën nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në momentin kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ngjit në podium për të mbajtur fjalimin e tij.
Ngjarja u shoqërua me tensione – ndërsa kryetari i seancës bëri thirrje për rend, në sallë u dëgjuan fishkëllima dhe brohoritje, ndërsa delegatët dolën me vrull jashtë, raporton Sky News .
Gjatë fjalimit të tij, Netanyahu iu drejtua drejtpërdrejt pengjeve të mbajtura në Gaza dhe rrëmbyesve të tyre, duke bërë një deklaratë të fortë:
“Nuk ju kemi harruar… nuk do të lëkundemi, nuk do të pushojmë derisa t’ju kemi sjellë të gjithëve në shtëpi.”
Ai po ashtu u drejtua me një paralajmërim të qartë për udhëheqësit e Hamasit:
“Ulni armët… lironi pengjet tani. Nëse e bëni këtë, do të jetoni, nëse jo, Izraeli do t’ju ndjekë.”
Netanyahu bëri të ditur se përmes altoparlantëve të vendosur në zonë dhe telefonëve celularë të marrë në dorë, fjalimi i tij ishte dëgjuar drejtpërdrejt në Gaza.
Në adresimin e tij, ai gjithashtu kritikoi akuzat për gjenocid, duke i quajtur “të rreme”:
“Nëse Hamasi pranon kërkesat, lufta mund të përfundojë.”
Fjalimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik – pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kanadasë dhe Australisë për të njohur zyrtarisht shtetin palestinez, në përpjekje për të mbajtur gjallë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.
Ndërkohë, lufta në Gaza ka hyrë në vitin e dytë, me agjencitë e OKB-së dhe vetë Sekretarin e Përgjithshëm që kanë dhënë paralajmërime të forta për situatën e rëndë humanitare, duke e cilësuar “të papërballueshme” për civilët në territoret palestineze.