Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi ndaj debateve dhe akuzave që kanë shoqëruar projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është nxjerrë në shitje dhe se të gjitha procedurat po zhvillohen në përputhje me ligjin.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Rama sqaroi se Ishulli i Sazanit mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe nuk është menduar asnjëherë për shitje.
Sipas tij, modeli i parashikuar për zhvillimin e ishullit është ai i partneritetit me investitorët, ku shteti do të mbajë pjesëmarrje në projekt, ndërsa negociatat vijojnë dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
Lidhur me projektin në Zvërnec, kryeministri theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private e regjistruar prej vitesh në kadastër dhe se transaksionet e kryera janë marrëdhënie mes subjekteve private. Ai shtoi se pretendimet pronësore të palëve të tjera po shqyrtohen nga gjykatat, ndërsa organet e drejtësisë kanë vepruar në mënyrë të pavarur për mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtës së pronës.
