Dy shtetas nga Kosova, me inicialet D.B. dhe E.S., janë arrestuar nga Policia e Shqipërisë nën dyshimin për përfshirje në protestën e dhunshme të mbajtur në Tiranë.
Sipas dokumenteve të siguruara, njëri nga të arrestuarit ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se kishte ardhur nga Prishtina për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe për të kërkuar vendosjen e një qeverie që mbështet politikat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dëshminë e tij, ai ka thënë se punon si kamerier në Prishtinë dhe se kishte vendosur, së bashku me një shok, të udhëtonte drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në protestë.
Ai ka deklaruar se është simpatizant i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke vlerësuar se politikat e tij dallojnë nga ato të Ramës.
“Duke qenë se unë jam djalë veterani, vendosa së bashku me shokun tim të vij në Tiranë për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama”, thuhet në dëshminë e tij, sipas procesverbalit.
I pyetur për arsyet e pjesëmarrjes në protestë, ai ka pretenduar se synimi i tij ishte të protestonte në mënyrë paqësore dhe të kërkonte ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri.
“Arsyeja pse unë mora pjesë është të bëj protestë paqësore për ndryshimin e këtij sistemi, pasi bie ndesh me politikat e Kosovës”, ka deklaruar ai.




